POLITIKË /

“Vëllai drejtor dogane”, përplasja Noka–Bido për foton me AI

Akuzë për drejtor dogane, përgjigje me ironi: Deputeti i PS thotë se personi në foto nuk ekziston dhe është krijuar nga Inteligjenca Artificiale

Shkruar nga Versus

“Vëllai drejtor dogane”, përplasja Noka–Bido

Një përplasje me tone ironike ka shpërthyer në rrjetet sociale mes deputetit të PD-së Flamur Noka dhe deputetit socialist Ardit Bido, pas një denoncimi të publikuar online për një emërim të pretenduar në doganën e Kakavijës.

Deputeti i Partisë Demokratike publikoi një mesazh të një qytetari, ku pretendohej se vëllai i deputetit socialist ishte drejtor i doganës së Kakavijës. Noka e shoqëroi postimin me një koment ironik, duke folur për lidhje me kontrabandën dhe duke paralajmëruar, sipas tij, reagimin e “avokatëve” në rrjetet sociale.

Por reagimi i deputetit socialist nuk vonoi. Ardit Bido u përgjigj me ironi, duke deklaruar se personi i përmendur, me emrin Blendi Bido, nuk ekziston dhe se fotografia e përdorur është krijuar nga Inteligjenca Artificiale.

“Ju prezantoj me Blendi Bidon. Sipas Mul Nokës, ky është vëllai im. Unë s’e dija. As familja ime. As gjendja civile. Blendi, në fakt, nuk ekziston. Në këtë foto, ai është produkt i Inteligjencës Artificiale dhe i inteligjencës së kufizuar të Mulit”, shkroi Bido në reagimin e tij të parë, pasi pak orë më vonë ai publikoi një tjetër postim në rrjete sociale, ku vijoi demaskimin e mes të tjerave i shkruan:

"Ne kërkojmë që ti të dish kush ngriti flamurin e Shqipërisë… ndërkohë ti s’di as të dallosh kur kalamajtë të përdorin si lodër. Lexon, beson dhe publikon mesazhe që t’i shkruajnë për t’u tallur me ty…dhe i shet si Denoncime."

Debati është zhvendosur kështu nga akuzat politike te ironia dhe rrjetet sociale, duke u kthyer në një tjetër përplasje virtuale mes përfaqësuesve të politikës shqiptare.

Poll