AKTUALITET /

Helmimi i 64 studentëve në Akademinë e Sigurisë, policia sekuestron dokumentet e AKU-së për kompaninë “SORI-AL”

Sipas burimeve hetimore, janë marrë të gjitha dosjet e AKU-së për periudhën nga muaji janar deri aktualisht, ndërsa hetuesit po analizojnë mënyrën e monitorimit të aktivitetit të subjektit privat.

Shkruar nga Versus

Helmimi i 64 studentëve në Akademinë e Sigurisë, policia

Hetimet për rastin e dyshuar të helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë kanë hyrë në një fazë të re, pasi Policia e Tiranës ka sekuestruar dokumentacionin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) që lidhet me kontrollet ndaj kompanisë “SORI-AL”, furnizuese me ushqim e institucionit.

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik po verifikon nëse inspektimet e kryera nga AKU kanë respektuar procedurat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore, si dhe nëse janë evidentuar apo neglizhuar parregullsi gjatë kontrolleve të mëparshme.

Sipas burimeve hetimore, janë marrë të gjitha dosjet e AKU-së për periudhën nga muaji janar deri aktualisht, ndërsa hetuesit po analizojnë mënyrën e monitorimit të aktivitetit të subjektit privat.

Ndërkohë, grupi hetimor është në pritje të analizave laboratorike, të cilat pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të intoksikimit. Studentët e prekur kanë shfaqur simptoma si dhimbje barku, të vjella dhe temperaturë, pas konsumimit të ushqimit.

Prokuroria pritet të vlerësojë veprimet e mëtejshme hetimore në varësi të rezultateve të ekspertizës dhe provave që do të mblidhen gjatë procesit.Versus.al

Poll