
Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje fizike mes banorëve dhe autoriteteve. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), i mbështetur nga forcat e policisë, ka ndërhyrë në disa objekte që sipas institucionit janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin dhe pa leje ndërtimi në Parkun Kombëtar.
Gjatë fillimit të aksionit, një pjesë e banorëve dolën përpara fadromave duke kundërshtuar prishjen e godinave, për të cilat pretendojnë se janë ngritur në pronat e tyre private. Në pamjet filmike të publikuara në media, shihen përplasje verbale dhe fizike mes banorëve dhe punonjësve të IKMT-së, ndërsa policia tenton të mbajë situatën nën kontroll.
Banorët e Thethit u shprehën se ndihen të lënë pas dore nga shteti dhe se ndërtimet në zonë janë bërë për të zhvilluar turizmin dhe për të mbajtur gjallë ekonominë lokale. "Jemi në tokën tonë, nuk jemi uzurpatorë", tha një prej banorëve që kundërshtoi shembjen e objektit të tij.
Nga ana tjetër, autoritetet sqarojnë se ndërtimet në fjalë janë bërë në zonë të mbrojtur me status të veçantë natyror dhe se çdo ndërhyrje në territor pa leje është e paligjshme, pavarësisht pretendimeve të pronësisë.
IKMT ka njoftuar se aksioni në Theth do të vazhdojë edhe në ditët në vijim dhe parashikon prishjen e rreth 40 objekteve të ngritura pa leje në këtë zonë turistike. Ky operacion vjen në kuadër të masave të reja të ndërmarra nga qeveria për të rikthyer hapësirat publike dhe për të ndalur ndërtimet informale në territoret e mbrojtura.
Ndërkohë, tensioni mbetet i lartë në zonë, dhe banorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë rezistencën, duke kërkuar dialog dhe zgjidhje ligjore, e jo ndërhyrje të njëanshme. /Versus.al