Deklaratat e vazhdueshme të kryedemokratit Sali Berisha i cili pretendonte se gjyqtarja që e futi në “arrest shtëpie” ishte e dënuar me vendim gjykate në Greqi, kanë rezultuar të vërteta. Prokuroria e Përgjithshme ka kryer verifikimet pas kërkesës së KLGJ dhe përgjigjia është se Gjoka është dënuar në Greqi në vitin 2005 për falsifikim dokumentesh, por vendimi nuk ishte ekzekutuar ende.
Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se Gjoka nuk e kishte deklaruar dënimin në formularin e dekriminalizimit. Ndërsa gjetjet i janë përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor për të vlerësuar nëse gjyqtarja e GJKKO do vijojë të mbetet në detyrë apo jo. Vendimi i dënimit të saj në shtetin grek ishte arkivuar për shkak të moszbatimit të vendimit.
Reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme
Mbi bazën e kërkeses së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjitshme është regjistruar me nr.40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Irena Gjoka rezulton të jetë gjyqtarja kryesore në dosjet hetimore në ngarkim të krerëve të partive opozitare, Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatmir Mediut. Të gjithë të pandehurit kanë kërkuar vazhdimisht përjashtimin e saj nga çështjet e tyre duke pretenduar se kishte probleme me ligjin.
Ka qenë gjyqtarja Irena Gjoka ajo që caktoi masat e sigurisë “arrest shtëpie” për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Versus.al


