Çfarë do të gjeni në brendësi
*Deputetët dhe ministrat socialistë u mblodhën sot në Pallatin e Brigadave ku kryeministri Edi Rama foli gjerë e gjatë për protestën që zgjat prej më shumë se 54 ditës dhe për ‘reflektimet’ e tij lidhur me gjëra që nuk shkojnë. *Ndërsa pranoi se protesta kishte qenë “manifestim spektakolar” ai vijoi të ngulmonte në idenë se faktorë të huaj kishin ndërhyrë për ta bërë atë virale edhe jashtë vendit për shkak të përmendjes së Donald Trump. *Në vazhdim tha se aktualisht në protestë nuk janë më flamingot. Ndërsa sa i takon “reflektimit”, Rama publikoi dokumentin “Besa” të cilin ua dha deputetëve për ta lexuar gjatë pushimeve duke thënë se shqiptarët nuk do të ndihen më të padëgjuar.
"Lexojeni gjatë pushimeve", Rama "lidh" 'Besën' me shqiptarët: S'do ndihen më të papërfillur

Kryeministri Edi Rama në mbyllje të fjalës së tij prezantoi dokumentin e titulluar “Besa” që sipas tij do të shërbejë që shqiptarët të mos ndihen më si të padëgjuar apo të papërfillur.
Dokumenti u shpërnda për deputetët e ministrat të cilëve u kërkoi ta lexojnë gjatë pushimeve.
“E kam titulluar me emër të vjetër dhe shumë të madh: Besa. E di që do të hapë debat, por e zgjodha edhe pse do të hapë debat. Nuk gjeta asnjë fjalë që ta thotë më qartë që vendimet të mos përjetohen më si prerje në besë, të mos ndihen si të padëgjuar e të painformuar, të papërfillur! Do ta merrni për ta shkoqitur gjatë pushimeve. E di që para se ta lexoni do të jetë hedhur në kanale sociale, i mbuluar me pupla sorrash. C’est la vie! Kam shkruar edhe një aneks për mënyrën si PS do ta mbështesë kthesën. Atë nuk do ta merrni sepse do ta diskutojmë së pari në një takim të ngushtë me drejtuesit e komisioneve. Beteja sot nuk është mes qeverisë dhe qytetarëve. Është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë e të besueshme dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të përçarë dhe pa besim te shteti. Atyre, që i patë edhe dje, të grumbulluar si një grup i vogël sorrash te foltorja e parlamentit. Edhe pse tani, bulevardi i ka lënë si zogj korbi të kategorisë së dytë. Aleanca që na duhet është për ta mbrojtur kritikën, për ta kthyer zemërimin në ndryshim, pyetjen në provë dhe protestën nga një çast përplasjeje në një test pjekurie të demokracisë”, tha Rama. Versus.al
View this post on Instagram
Gazi lotsjellës ndaj nënës e djalit autik, Rama: Skuthat e zinj e përdorën për algoritmin, e përdh*nuan para kamerës

Kryeministri Edi Rama komentoi pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, të një nëne me fëmijën me spektrin autik, që u bë dje viktimë e dhunës policore, gjatë protestës përpara Parlamentit.
Duke mos u marrë me problemin real të nënës dhe djalit të saj, kryeministri Rama u përqendrua në mënyrën sesi problematika e saj u nxorr në media ku tregoheshin kushtet e mjerueshme të saj.
“Besoj e keni parë të gjithë dje atë nënën me fëmijën me spektër autik, që korbat e kishin marrë me vete te Parlmenti, për ta kthyer atë në viktimën e policisë që ishte aty për të mbrojtur të verbrit. Ne e kemi rritur mbëshetjen për personat me spektër, por ajo nënë nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë, mes faktit tonë dhe përjetimit të vetmisë së saj dëshpëruese ka një hendek.
Aty e futën sorrat dhe korbat, me solidaritetin e tyre hipokrit. Për ta marrë me vete tek parlamenti dhe për ta abuzuar atë nënë bashkë me fëmijën autik me të njëjtin manual që përdorin edhe terroristët duke i përdorur si mburojë teksa sulmonin me maska policinë e shtetit. Pastaj e vunë dhe përpara kamerës, e përdhunuan dhe e nxorrën në mexhelis për t’i qarë hallin dhe i kthyen lotët e saj në breshër përmes algoritmit. Pastaj e lanë në fatin e saj dhe u nisën për te mikrofoni në bulevard njësoj si ata skuthat e zinj që i kemi parë në përdorimin e këtij manuali që çojnë të tjerët mish për top”- u shpreh Rama. Versus.al
View this post on Instagram
“Fytyrë në vend prap*nicës”, Rama: Njerëzit nuk durojnë dot arrogancën e zyrtarëve të shtetit

Ndërsa mori si shembull një mesazh të dërguar nga një sipërmarrës në vend që kishte marrë pjesë në protestë, kryeministri tha se në protestë kishte parë se njerëzit nuk durojnë dot më arrogancën e zyrtarëve shtetërore që nuk u flasin me empati.
“Unë pashë sesa e padurueshme është bërë për njerëzit mungesa e empatisë së njerëzve të shtetit. Arrogance e zyrtarëve pa gjak që u flasin si të kenë karrigen në vend të fytyrës ndërkohë që fytyrën e kanë parkuar në vend të prapanicës dhe këtu nuk po flas fare për ata që u kërkojnë edhe lekë se pastaj është fjalim më vete ky. Dua ta dëgjojnë të gjithë Arbrit e atij bulevardi se nuk janë as sorra e korba, por flamingo”- tha Rama. Versus.al
“Mblidhen si pupla të zeza në bulevard”, Rama për protestuesit: Zemra e protestës ka ikur

Kreu i qeverisë tha se tanimë në protestë nuk janë “flamingot” apo qytetarët e ndershëm që protestuan masivisht, por persona të tjerë që përpiqen të mbajnë gjallë revoltën.
Sipas Ramës, këta persona janë edhe pas “profileve fallco” dhe shtoi se janë identifikuar tanimë.
“Vazhduan ta mishërojnë si llumi që dekandon pasi thahet prurja e ujit të rrjedhshëm. Tani vazhdojnë ta kruajnë plagën me nervozizëm duke u mbledhur si pupla të zeza në bulevard apo rrotull parlamentit pasi zemra e protestës, ka ikur, ka shtegtuar bashkë me flamingot.
Ata nuk janë armiq të Shqipërisë, por bij të verbër të saj që ecin pa ditur se ku shkojnë dhe nuk e kanë haberin se janë mish për top i armiqve të huaj të Shqipërisë. Në radhë të atyre shtetërorë që lëshuan përmes resë digjitale breshëri masive avatarësh nën profile fallco të cilët i kemi tanimë të dokumentuar.
Por çfarë interesi kanë aktorët malinj për Shqipërinë? Zero! Vetëm kaosin dhe rrënimit të besimit që shqiptarët të mos i besojnë më askujt sepse një vend pa besim është i pambrojtur”- tha Rama. Versus.al
"Hija e vjehrrit më të famshëm në botë bëri virale protestën", Rama: Pati ustallarë të vendeve të tjera

Kryeministri Edi Rama përsëriti pretendimin se çështja e Zvërnecit u bë virale nga emri i presidentit të Donald Trump. Ai tha se përmendja e Trumpit i dha protestës viralitet.
Sipas tij, vendi ynë ra pre e një algoritmi të armiqve të huaj që përhapën videon revoltuese të Zvërnecit.
“Falë asaj lidhjeje ajo u bë menjëherë një legjendë globale ku shumëkush ndër fansat e huaj të protestës përfshirë edhe një senator mitik të SHBA deshi ta shihte Shqipërinë si shëmbëlltyrën e një Davidi të vogël që u ngrit dhe u rebelua kundër një Goliathi të fuqishëm duke bërë thirrje që bota mbarë të merrte leksion dhe të ngrihej. Ky është fakti i kohës së kanaleve sociale ku noton sot bota. Zvërneci dha videon revoltuese, flamingoja dha simbolin magjepsës. Hija e vjehrrit më të famshëm në botë dha magnetin global dhe algoritmi i yshtur edhe nga ustallarë të vendeve të tjera bëri pjesën tjetër. Me një shkrepëse të ndezur me pisha në Nartë shpërndau brenda pak orësh një zjarr marramendës anëembanë botës. Zelli i kundërshtarëve të gjithandejshëm për të lufutar me vjehrrin e madh e ktheu në një skenë identifikimi me qindra milionë njerëz në kontinente bulevardin e transferuar në hendek. Ama shkaku i hendeku ishim ne dhe zemra e protestës ishin njerëzit e zakonshme të këtij vendi”- tha Rama. Versus.al
"Manifestim spektakolar", Rama: Tek protesta e flamingove pashë një të vërtetë tronditëse

“Manifestim spektakolar!”. Kështu e cilësoi kryeministri Edi Rama protestën madhështore të qytetarëve para godinës së qeverisë, por shtoi se pati edhe ndërhyrje të huaja. Ai shtoi se njerëzit kishin përjetimet, ndërsa qeveria kishte faktet për Zvërnecin.
“Në paqyrën e bulevardit të flamingove unë pashë një të vërtetë tronditëse. Që asnjë statistikë nuk e tregon, por asnjë provë nuk e rrëzon. Ne lart kishim faktet, njerëzit poshtë kishin përjetimet. Fakti ynë ishte se investimi i Zvërnecit, është tokë private, përjetimi i tyre është se shteti po u shitet të huajve. Fakti është se projekti është ende sot që flasim në duart e një skuadre arkitektësh, përjetimi i tyre është se ndërtimi ka nisur dhe projekti duhet anuluar. Faktet tona thonin se ne kishim me vete të vërtetën, por përjetimi i tyre është se e vërteta është në anën e tyre. Padyshim se në atë protestë pati ndërhyrje brutale të huaja dhe ishin pjesë e rëndësishme e protestës. Ekspozimi dhe analiza e tyre janë të domosdoshme për ta kuptuar atë protestë në çdo dimension. Asnjë prej këtyre dhe as të gjitha bashkë nuk ishin zemra e atij manifestimi spektakolar që e ktheu bulevardin në hendek mes fakteve tona dhe përjetimit të njerëzve”- tha Rama. Versus.al
"Eurodeputetët me agjenda politike", Rama për ligjin e zonave të mbrojtura: Do përputhet me BE-në

Kryeministri Edi Rama foli për ligjin e zonave të mrbojtura që u ndryshua në vitin 2024. Ai tha se ky ligj u përdor si “benzinë” për protestën duke thënë se edhe eurodeputetët europianë patën agjendat e tyre politike.
Ndërsa shtoi se ky ligj për zonat e mbrojtura do të përputhet 100% me standartet e BE gjatë procesit të negociatave.
“Ndryshimet e vitit 2024, në atë ligj u përdorën pa pushim si benzinë për zjarrin e protestë nga individë me agjendat e tyre politike përfshirë edhe disa eurodeputetë që në rastin më të mirë nuk e kanë lexuar fare se çfarë kemi ndryshuar dhe në rolin më te keq kanë dashur ta besojnë rolin e imperializmit amerikan. Por e vërteta është se ato ndryshime janë bërë nën direktivën e plotë europiane.
Atë ligj do ta përputhim 100% me standartet e BE. Ky konflikt i stisur do zgjidhet në rrugën e negociatave ku nuk kalon asgjë pa miratimin e komisionit”- tha Rama. Versus.al
“Protesta e flamingove mbylli një epokë”, Rama: Njerëzit nuk gëzohen më vetëm për rrugë e shkolla

Kryeministri Edi Rama në hapjen e fjalimit të tij foli për protestën e mbajtur prej më shumë se 54 ditësh në vend. Duke thënë se në protestë morën pjesë dhe zyrtarë të administratës e qytetarë socialistë, Rama tha se kjo ishte falë ndryshimit rrënjësor të vendit.
“Sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjesisht, njerëzit nuk jetojmë më as me kënaqësinë e ndryshimeve që ndodhin as me inkurajimin e gjërave që ndërtohen siç ndodhte deri dje ku prisnin që pas shkollës e rrugës që u ndërtua në lagjen tjetër t’i vinte rradha shkollës e rrugës së lagjes së tyre. Në një Shqipëri që zhvillohet me ritme të reja, ata e përjetojnë zhvillimin si një tension mes asaj që dëgjojnë e shohin dhe asaj që kanë. Herë si burim pikëpyetjesh se çfarë po bëhet me vendin dhe shpeshherë si pasiguri për pjesën e tyre”- tha Rama.
Ndërsa shtoi se protesta e flamingove i dha fund epokës ku njerëzit kënaqeshin me pak dhe hapi një tjetër epokë të pritshmërive të rritura.
“Me fjalë të tjera shokë dhe shoqe nuk mjafton më ta qeverisim të tashmen me investime, arritje, integrime duke treguar se çfarë bëmë deri këtu, por duhet të qeverisim në përditshmëri me nevojën e shqiptarit të sotëm. Zemrat dhe mendjet e shqiptarëve nuk janë më aty ku ishin deri dje, se çfarë ndryshon në territor, ata janë ankoruar tek pritshmëritë e tyre. Prandaj edhe bulevardi i flamingove, duhet parë si pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re të cilën duhet ta kuptojmë ne të parët. Unë vetë në pasqyrën e bulevardit të flamingove pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e mbyllur është ajo e mungesave. Ku një rrugë e re ishte fitore kolektive, shkollë e re ishte festë e përbashkët, një lulishte e re pritej me duartrokitje. Në epokën e mungesave, shoqërinë vuajnë përgjatë rrugëve pa rrugë dhe i gëzohen çdo ndryshimi si fëmijët në dhurata.
Epoka e hapur është epoka e pritshmërive ku rruga e re është standart, jo fitore. Nuk durohet më dot asnjë mungesë shërbimi. Shoqëria nuk e çon më nëpër mend nëse ka edhe më keq, por ka edhe më mirë”- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al
Godinë e re për Kuvendin, Peleshi: Në fund të shtatorit hapim konkurs ndërkombëtar

Kryeparlamentari Niko Peleshi gjatë raportimit të tij sa i takon drejtimit të Kuvendit që prej marrjes së detyrës vitin e kaluar, ka bërë me dije se në fund të muajit shtator të këtij viti do të hapet një konkurs ndërkombëtar për godinën e re të institucionit.
“Kemi ndërtuar bashkëpunimin me agjencinë kombëtare të planifikimit të territorit. Kemi nxjerrë termat e referencës dhe kemi punuar mbi to duke shfrytëzuar bazën nga disa konkurse arkitekturore të së kaluarës të cilat kanë nevojë për një rifreskim në aspektin e teknologjive të reja që në atë kohë nuk kanë qenë prezente.
Sipas planifikimit tonë në fund të shtatorit apo të tetorit do shpallim një konkurs ndërkombëtar për një godinë të re për Kuvendin”- tha Peleshi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS dhe qeverisë në Pallatin e Brigadave. Versus.al
Rama mbledh sot deputetët dhe ministrat: Reflektim mbi pasqyrën e 'bulevardit të flamingove'

Sot grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe kabineti qeveritar do të mblidhet në pallatin e Brigadave. Takimi do të nisë në orën 09:30 me fjalën hapësre të kryeparlamentarit Niko Peleshi i cili do të bëjë një bilanc të punës si drejtues i Kuvendit. Ndërsa më pas do të pasohet nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe fjala përmbyllëse do të mbahet nga kryeministri Edi Rama.
Ky i fundit, mbrëmjen e djeshme publikoi një video në rrjetet sociale ku shfaqte një pjesë të fjalimit që pritet të mbajë sot në mbledhjen ku shkroi se do të flasë mbi reflektimet që pati sa i takon protestës.
“Përshëndetje nuk e di a dëgjoni, kjo është kënga ime e preferuar. Jam duke shkruar fjalën e nesërme në mbledhjen e grupit parlamentar dhe qeverisë dhe desha të ndaj me ju këtë moment sepse ky kor “Rama jepe dorëheqjen” e Meriton. Shihemi nesër paradite, do ishte kënaqësi të ndaja me ju reflektimin mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove. Të atij që ishte se ky që ka mbetur është i sorrave dhe korbave"- shkroi Rama bashkangjitur videos së publikuar.
Nuk përjashtohet mundësia që Rama të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar para se socialistët të shkojnë për pushime për t’u rikthyer në shtator. Versus.al

