
Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PD, Ervin Salianji foli për mediat lidhur me debatet e forta që kishte patur ku mes të tjerash kishte kërkuar dorëheqjen e Flamur Nokës.
Teksa shprehu keqardhjen që fokusi i mbledhjes u zhvendos tek lëvizja e tij në vend të protestave për rrëzimin e Ramës, Salianji tha se PD nuk mund të mbetet peng i interesave personale duke konfirmuar se i kishte kërkuar dorëheqjen Nokës.
“Jam i keqardhur që në mbledhjen e partisë, u zhvendos komplet fokusi nga protesta tek diskutimet e brendshme. Kishte mendime të ndryshme. Ajo që di t’ju them është që do ecim përpara, çdo ndryshim nuk vjen pa përplasje. Çdo akuze do i përgjigjemi me fakte konkrete.
Vendimmarrja e PD e cila ishte e paqartë në shumë situata bën përgjegjës. Ju kujtoj një rast të caktuar në zgjedhjen e ish-presidentit Bamir Topi, në momentin që 6 deputetë të PS votuan për presidentin e asaj kohe pati dorëheqje të menjëhershme. Nuk mund të rrimë peng i interesave personale. Po bëj përgjegjës drejtuesit e PD për vendimmarrjen”- u shpreh Salianji.
Në nisje të intervistës për mediat të Salianjit, Berisha u pa duke dalë nga selia e PD, por nuk pati asgjë për të thënë para gazetarëve. Versus.al


