
Kryeministri, Edi Rama, në fjalën e tij, duke folur sot nga Vlora, përmendi disa nga kërkesat që protestuesit i kanë drejtuar nga tubimet masive që janë organizuar këtë javë, si dorëheqja e qeverisë, shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimin për trashëgiminë kulturore shqiptare.
Duke ironizuar, Rama i quajti protestuesit "honxho-bonxho". që i thonë se duhet t’i marrësh me të mirë.
Duhet t’i marrësh me të mirë më thonë, por si ti marrë me të mirë, kur ne po na ikën tepeleku i kokës, ku kemi lloj lloj honxho-bonxhosh që ikin pas berihait. Shikojnë gardhin atje, që pika që s’u bie atyre që e vendosën atë gardh atje në Zvërnec, ku e morën foton dhe me IA e vendosin sikur të ishte kufiri me Izraelin, duke shkuar pas berihait se do vijnë palestinezët. Dhe ne t’i marrim me të mirë këta”, tha Rama.
Edi Rama: Më tregojnë mua këta honxho-bonxhot investimet strategjike dhe më thonë po prishet Shqipëria nga investimet strategjike. S’kishte investime strategjike Vlora kur ne erdhëm në detyrë, por kishte gropat në Lungomare. Më e bukura është se te Zvërneci s’kanë kërkuar fare statusin e investitorit strategjik.
Paketa e Maleve do të anulohet? Po pse? Ata që kanë trashëguar tokat, e thuajua more, janë trashëgimtarë të tokave në veri, ka trashëgimtarë të tokave të thella të jugut dhe s’kanë pasur sherre për pronat. Nuk kanë hyrë në 7501. Ata e dinë, deri këtu ishte gjyshi im, deri atje gjyshi jot.
Duke mos pasur letrat dhe të ardhurat apo edhe mundësitë, i kanë braktisur ato bukuri atje, duke u larguar edhe nga vendi sepse s’bëjnë dot asnjë investim. Dikur i bënin pa leje, tani s’i bëjnë dot pa leje. Duan të bëjnë një fermë, s’kanë subvencion, asgjë.
Çfarë bën Paketa e Maleve? I thotë, hajdeni te toka që është e gjyshit, që s’keni letra, zgjidhni planin e investimit, shkoni në këshillin bashkiak, afishoni emrin një muaj. Po erdhën të tjerë që të kërkojnë pronën që ju kërkoni, nuk e merrni dot. Po nuk pati kontestime, investoni. Dhe jo pallate, agroturizma, ferma, agrobujtina.

