
Pak para protestës së radhës qytetare që pritet të mbahet ditën e sotme në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka bërë ftesë për dialog me organizatorët e protestës, me qëllim diskutimin e projektit të Zvërnecit.
Në mesazhin e tij në rrjetin social facebook, Rama thotë se është i gatshëm të flasë për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik.
Duke iu drejtuar me një gjuhë popullore teksa i drejtohet "çuna", Rama u thotë se i pëlqen sidomos ata që votojnë pro tij dhe thekson se i pret në bashkëbisedim publik, jo më shumë se 20 vetë.
Mesazhi i plotë
Çuna
Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua - ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës - dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet.
Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik.
Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo?
Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni.
Nëse doni, natyrisht.
Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona te ndara:
ju në kor me robt e shtëpisë time,
unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian

