
Gjatë një vizite në Shkodër, Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së një dite më parë të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili kishte komentuar publikisht për "Lamborghinin e Noizyt".
Në përgjigjen e tij, Rama ka zgjedhur ta ironizojë deklaratën, duke ia kujtuar Berishës kontratën e njohur të lobimit në SHBA në vlerën prej 6 milionë dollarësh — një çështje që ka qenë në qendër të akuzave dhe debatit politik.
“Ore, a ia hoqën non grata-n atij mo? Ia hoqën? Në datën 12 do ia heqin? Se sikur do ia hiqnin? Se 6 milionë dollarë janë shumë vallaj! Se bufi dje ishte kapur me Lamburghinin e Noizyt. Ai ka lekët e veta tha, por janë 50 mijë pensione. Çfarë ka me Noizyn? Si qenkan 50 mijë pensione për Lamborghinin e Noizyt? Lamborghini i Noizyt kushton shumë më pak se 6 milionë dollarë. Se nëse shkojmë me këtë logjikë, për të larë numrin në kokë, sa pensione paska paguar bufi. Po bufi me lekët e kujt? Se i bie të jenë 500 mijë pensione. Janë më shumë në fakt se Lamborgini është më paik se 1 milionë”, ironizoi Rama.
Deklarata e një ditë më parë e Berishës i referohej takimit të kryesocialistit në Dibër, ku nuk mungoi spektakli me daulle e valle.
“Tallet me shqiptarët, merr daullen i bie daulles. Gjen dhe Noizyn me Lamborghini. Lamborghini i Noizyt nuk është pensione dhe rroga. Ai ta gëzojë, por ç’punë ka pensionisti me të. Ç’punë ka i sëmuri që vdes për ilaçe. Edhe Kamala mori të gjithë Hollyëood-in me vete por përfundoi atje ku e meritonte”, tha Berisha.







