Ditën e sotme Gjiknuri, Bylykbashi dhe Ivi Kaso u mblodhën si anëtarë të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore për të bërë shqyrtimin e kandidaturave të paraqitura për komisionin Rregullator pranë KQZ-së. Për të qenë pjesë e këtij organi ishin dorëzuar 5 kandidaturave, mes të cilave edhe ajo e ish-kreut të KQZ, Arben Ristani.
Ky i fundit u shpreh se kishte shkëputur çdo aktivitet politik me Partinë Demokratike dhe se kishte vendosur që t’i përkushtohej profesionit duke lënë aktivitetin politik.
Arben Ristani: Mendova që në këtë moment të karrierës profesionale, t’i rikthehem profesionit. Shto këtu dhe për shkak të përvojës dhe pasionit që kam për këtë fushë. Mendoj se ka nevojë për kontribute në fushën përkatëse.
Gjiknuri: E keni shkëputur aktivitetin nga PD?
Ristani: Po, jam shkëputur nga PD. Pjesë e dokumentacionit që kam paraqitur zyrtarisht është edhe shkresa e protokolluar e shkëputjes nga aktiviteti politik.
Bylykbashi: Nuk kam pyetje, besoj që kontributi i zotit Ristani në proceset zgjedhore ka lënë gjurmë të rëndësishme, ka një përvojë e cila flet vetë nuk ka nevojë për prezantime.
Gjiknuri: Më vjen mirë që të dy kolegët nuk kishin pyetje për kreditet e kandidatëve. Megjithatë kjo është vlerë e shtuar që garanton se opozita është mbështetëse e kandidaturës tuaj.
5 anëtarëve të Komisionit Rregullator u mbaroi mandati më 5 tetor. Ndërsa duke qenë se ky organ është një prej 3 shtyllave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe në kushtet kur do të mbahen zgjedhje të parakohshme në disa bashki, Kuvendi ka nisur punën për të zgjedhur anëtarët e rinj të këtij komisioni. Versus.al
