POLITIKË /

Rama shpall luftë ndaj ndërtuesve abuzivë: Lista e zezë po vjen, ndëshkimet do jenë të rënda!

Një ndër elementët kryesorë të këtij paralajmërimi është krijimi i një “liste të zezë” për ndërtuesit që shkelin ligjin dhe të drejtat e qytetarëve.

Shkruar nga Versus

 

Rama shpall luftë ndaj ndërtuesve abuzivë: Lista e zezë po

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një takim me deputetët e Tiranës dhe drejtues të strukturave të Bashkisë, me fokus adresimin e problematikave në territor dhe nisjen e një faze të re të transformimit urban në kryeqytet. Në këtë kontekst, ai ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj abuzimeve në industrinë e ndërtimit, duke e quajtur tolerimin e ndërtimeve të paligjshme për përfitime si një “mashtrim të madh”.

Një ndër elementët kryesorë të këtij paralajmërimi është krijimi i një “liste të zezë” për ndërtuesit që shkelin ligjin dhe të drejtat e qytetarëve. Qëllimi është ndalimi i aktiviteteve të tyre në të ardhmen, si një mënyrë për të pastruar industrinë nga abuzuesit dhe për të rritur besueshmërinë institucionale.

Rama theksoi gjithashtu nevojën për zgjidhje urgjente të problematikave ekzistuese para se të hyjë në fuqi akti i ri ligjor që do të rregullojë ndërtimet dhe planifikimin urban. Ai paralajmëroi pasoja të rënda për çdo subjekt që shkel ligjin pas këtij afati, duke lënë të kuptohet se shteti është i vendosur të vendosë kontroll më të rreptë mbi sektorin.

Po diskutojmë për mashtrimin e madh, ndaj të cilit janë mbyllur sytë për një kohë të gjatë në shumë pjesë të territorit. Nuk po flasim për banesat që janë ndërtuar për të futur kokën, por për ato që janë ndërtuar për qëllime fitimi.

Do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë të investitorëve që abuzojnë dhe shkelin ligjin. Kushdo që hyn në këtë listë, do të humbasë të drejtën për të marrë leje ndërtimi dhe do të penalizohet nëse përfshihet në industrinë e ndërtimit.

Do të merren masa për një kategori ndërtuesish shumë problematikë, si ata mashtruesit në zonën ku ishim së bashku me ministrin e Drejtësisë, të cilët nuk linin banorët të futeshin në pallat, apo, fatkeqësisht, edhe të tjerë si ata që i lënë blerësit e apartamenteve të tyre në rrugë, pa dokumente hipotekore.

Masat do të jenë drastike dhe u bëj thirrje të nxitojnë ta zgjidhin këtë problematikë para se të dalë akti, sepse do të përballen me pasoja të rënda dhe do ta kenë shumë të vështirë. Ne na intereson që të zgjidhet problemi. /Versus.al

Tags:

rama

Poll