Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim në Vilën 30 me dy ministrat e kabinetit të tij, Besfort Lamallarin dhe Toni Gogun.
Gjithashtu në këtë takim marrin pjesë edhe tre zv/ministrat e Brendshëm, Xhemal Qefalia, Silva Caka dhe Anisa Ruseti.
Sipas informacioneve paraprake, takimi ka nisur rreth orës 09:00 me ministrin e Brendshëm Lamallari, i cili ka qëndruar për më shumë se një orë e gjysmë në bisedime kokë më kokë me kryeministrin.
Më pas, në ambientet e vilës është parë të hyjë edhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, duke shtuar interesin për tematikat e diskutimit.
Ende nuk është e qartë nëse takimi lidhet me zhvillimet e fundit politike në vend apo bëhet fjalë për një mbledhje rutinë mes Ramës dhe ministrave.
Ky takim vjen në një ditë kur po zhvillohen edhe intervistat për kryepolicin e ri, pas dorëheqjes së Ilir Prodës.
Në ambientet e Ministrisë së Brendshme, komisioni i ngritur për këtë proces, i përbërë nga zv/ministrja Silva Caka, sekretarja e përgjithshme Kledia Ngjela dhe kreu i AMP-së Eduart Merkaj, ka nisur shqyrtimin e dosjeve dhe intervistimin e kandidatëve.
Për këtë post kanë aplikuar 16 kandidatë, ndërsa dy prej tyre, Ejona Gurbardhi dhe Suela Sulkaj, të cilat nuk vinin nga radhët e Policisë së Shtetit, janë skualifikuar gjatë fazës së verifikimit paraprak./Versus.al
View this post on Instagram


